Vendosen dy pllakat e para në Bulevardin e Ri

Nga fushata elektorale e 2011-ës, kohë kur kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Edi Rama prezantonte projektin e tij për Bulevardin e Ri, kanë kaluar 5 vjet që të vendosej pllaka e parë. Kryeministri Edi Rama si ideator dhe nismëtar i këtij projekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si kryebashkiaku që do të përfundojë projektin e nisur disa vjet më parë, vendosën sot në mënyrë simbolike dy pllakat e para të Bulevardit, çka shënon edhe nisjen e fazës së fundit të ndërtimit të segmentit të tij të parë. Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se pikërisht për shkak të votës, ndryshimi mund të jetë radikal, si dhe theksoi se falë punës së kryebashkiakut Veliaj dhe ekipit që ai drejton, Tirana është tashmë një kryeqytet në lëvizje.

 “Tirana mund ta kishte patur këtë Bulevard sot, mund ta kishte sheshin ‘Skënderbej’ sot. Por për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç do të duhet të shkonin dhe për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe faktikisht u tërhoq zvarrë. Dhe po për shkak të votës, Tirana sot jo vetëm është vënë në lëvizje, por është vënë në lëvizje me një shpejtësi të re, me një shpejtësi të cilën nuk e ka pasur asnjëherë, falë lidershipit të kryetarit të bashkisë, falë ekipit të bashkisë, falë mobilizimit të ndjeshëm në çdo aspekt të të gjithë njerëzve që punojnë me bashkinë apo për bashkinë dhe që lidhet me këtë energji të jashtëzakonshme, të re, që i ka sjellë Tiranës një votë në drejtimin e duhur. Falë votës në drejtimin e duhur Tirana do të ketë shumë shpejt Bulevardin e Ri, Tirana do të ketë shumë shpejt më në fund sheshin e vet”, tha Rama.

 Kryeministri shtoi se Bulevardi i Ri lidh Tiranën e sotme me Tiranën e gjeneratës tjetër. “Ky është një privilegj shumë i madh dhe sigurisht është edhe një përkëdhelje, pse mos ta them, i sedrës time si ish-kryetar bashkie, që bëra sa munda, jo aq sa desha, për të çelur pikërisht rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen, rrugën që lidh qytetin që kemi me qytetin që duam, rrugën që lidh atë që kemi trashëguar nga të parët tanë, me atë që kemi detyrim t’u lëmë fëmijëve tanë”, theksoi Rama.

 Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur për faktin se projekti i nisur shumë vite më parë nga Rama po finalizohet, duke i dhënë gjithë zonës një mundësi të re zhvillimi. “Sot është një fillim i ri, sot është një ditë e re dhe sot pas pesë vitesh ku ne humbëm kohë të çmuar, nga zgjedhjet e 2011 deri sot, besoj se në 500 ditë kemi justifikuar besimin që na kanë dhënë qytetarët për të rikuperuar kohën e humbur për të mos mbajtur kokën mbrapa dhe për të projektuar Tiranën moderne ku duam të jetojmë të gjithë”, u shpreh ai. Veliaj shtoi se ky Bulevard do të shndërrohet në një pol të ri të kryeqytetit, pasi aty do të zhvendosen një pjesë e mirë e institucioneve qeveritare dhe zyrave administrative të qytetit.

 “Kjo do të jetë një hapësirë zhvillimi. Sot kemi kërkesa konkrete, kemi një grup të ambasadave që duan të transferohen këtu dhe dua ta përdor në fakt edhe këtë mundësi publike, për t’i kërkuar kryeministrit që në analizën e ardhshme të rishpërndarjes së zyrave dhe administratës në Shqipëri, në Tiranë, të konsiderojmë bulevardin e ri si një vend ideal për ministritë e ardhshme apo selitë e ardhshme” theksoi Veliaj. Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se në pranverën e ardhshme pritet të perurohen edhe disa nga projektet më të rëndësishme të Tiranës moderne, përfshi edhe parkingun nëntokësor në bulevardin e ri.

 “Data e parë e rëndësishme është Dita e Verës, kur do të hapim disa nga projektet kryesore në Tiranë: Në 14 mars do hapim Pazarin e Ri, një projekt kyç, do hapim parkingjet në sheshin “Skënderbej”, edhe këtu në bulevardin e ri, që do të zgjidhë çështjen e parkimeve për qindra makina në Tiranë. Kjo nuk do të thotë që do të vazhdojmë të dekurajojmë përdorimin e makinës, por ama për ata që absolutisht kanë punë në zonën rreth stacionit të Trenit, në zonën  e sheshit “Skënderbej”, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” do të sigurojmë vendet e parkimit”, shtoi Veliaj.

 Master-Plani për Qendrën e Qytetit të Tiranës, i zhvilluar prej administratës së ish kryebashkiakut Edi Rama në vitin 2003, hodhi themelet për zhvillimin modern të Bulevardit Verior të Tiranës, në përputhje me nevojat zhvillimore në rritje të kryeqytetit. Në vitin 2015-2016, administrata e kryebashkiakut Veliaj, në bashkëpunim me Grimshaw Architects, modifikoi projektin e Bulevardit Verior, duke i shtuar atij Parkun Qendror të Tiranës. Bulevardi Verior do të krijojë një zgjatim natyral të bulevardit ekzistues, duke krijuar një arterie me gjatësi 1600 m dhe gjerësi 70 m, me pikënisje nga ish-stacioni i trenit e përfundim tek lumi i Tiranës.

 Ndërhyrja konsiston në punime inxhinierike, infrastrukturën nëntokësore, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, rrjetin infrastukturor në dy galeritë nëntokësore përgjatë seksionit të bulevardit, si dhe hapësirat për kalimtarët, transportin publik, ashtu si dhe bimësinë në të dyja anët e Bulevardit. Gjithashtu, një komponent i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, i cili në momëntin që flasim ndodhet në masën 90% të kryerjes së gjithë punimeve.