Vihet në punë depoja dhe rrjeti i ri i ujësjellësit në Yzberisht

Rreth 30 mijë banorët që jetojnë në zonën e Yzberishtit, Unazës së Re dhe fushën “Misto Mame” do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm, falë investimit të ri të Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së, të cilat në kohë rekord vunë në punë depon e re të ujit. Kjo depo, me kapacitet 4 mijë metra kub, si dhe rrjeti i ri i ujësjellësit, bëjnë të mundur furnizimin rregullisht me ujë të Yzberishtit, një nga zonat më problematike në Tiranë.

Punimet e realizuara nga UKT-ja u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se depoja e re e ujit në Yzberisht katërfishon prurjen e ujit në këtë zonë dhe i jep fund problemit të mbartur prej vitesh. “Falë këtij investimi zgjidhim çështjen e ujit të pijshëm për 30 mijë banorë. Do të thotë se në këtë zonë do ulet numri i boteve të ujit, por gjithashtu nga Yzberishti deri në “Misto Mame” do të kemi gjithmonë e më pak probleme për çështjen e ujit të pijshëm”, tha kryebashkiaku Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi qytetarët, të cilët kanë paguar rregullisht faturat e ujit, duke bërë të mundur një gjendje më të mirë financiare të UKT-së, çka sjell edhe më shumë investime në rrjetin e ujësjellësit.

“Ky ka qenë viti më i mbarë për UKT-në, ku pagesa e faturave ka shkuar në mbi 90%. Për herë të parë Tirana renditet mes qyteteve taksapaguese të mira siç janë Korça, Përmeti, të cilat e kanë traditë që qenit në rregull me pagesat. Tani që qytetarët janë treguar të rregullt me bashkinë, bashkia duhet të jetë po aq e rregullt me qytetarët. Më vjen mirë që ky investim zgjidh një ngërç që kishte zgjatur prej disa vitesh dhe e çon në drejtimin e duhur çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë zonën e Yzberishtit”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se në 11 muajt e fundit është bërë më shumë në ujësjellës se sa ishte bërë në 4 vite të marra bashkë.

Por, ky është vetëm një nga investimet që po bëhen në këtë zonë. Kryebashkiaku Veliaj tha se në këtë zonë janë duke u zhvilluar edhe një sërë investimesh të tjera, si në infrastrukturë rrugore, transport, etj. “Do të vijojmë me investime në këtë zonë dhe sipas planit të ri urbanistik do të shtojmë linjat e autobusëve, që komunikimi me Tiranën të jetë më i zhdërvjellët. Gjithashtu, do të vazhdojmë me projektin tonë të shkollave, kopshteve e çerdheve. Ato që banojnë këtu janë kryesisht familje të reja, e si të tilla kanë fëmijë të vegjël që kanë nevojë për çerdhe, kopshte e gjithë infrastrukturën sociale”, tha Veliaj.

Prej vitesh, familjet që jetojnë në këtë zonë kanë vuajtur mungesën e furnizimit me ujë, për shkak të rrjetit të munguar dhe një investimi serioz. Problematika e këtyre banorëve bëhej më e mprehtë sidomos në stinën e verës, gjatë së cilës mungesa e ujit kthehej në një pengesë për një jete normale. Tashmë, me investimin e kryer dhe ndërtimin e depos 4000 metra kub, katërfishohet volumi i ujit që shpërndahet në zonë. Kjo depo do të furnizojë me ujë zonën e Unazës së Re, si dhe zonën tek pallatet e KMY-së. UKT ka ndërtuar mbi 1.2 kilometër rrjet ujësjellësi, i cili tashmë shkon në çdo pallat, duke çuar ujë në familjen e çdo banori të zonës.