Vijon aksioni për prishjen e të gjitha objekteve pa leje në Parkun e Liqenit

Bashkia e Tiranës është e vendosur që Parkun e Liqenit t’ua kthejë tërësisht qytetarëve. Për këtë qëllim, prej disa ditësh ka nisur aksionin e prishjes së të gjitha ndërtimeve pa leje, të cilat kanë uzurpuar territorin e parkut ndër vite. Aksioni ka nisur nga lokalet dhe objektet e tjera që gjenden në hyrjen e parkut, në pjesën e Digës së Liqenit, dhe atë të zonës së Fakultetit Gjeologji-Miniera, ku Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë së Tiranës, i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake, kanë shembur disa objekte të njohura në këtë zonë, të cilat nuk kishin dokumentacion të rregullt ligjor.

Ky aksion është ndjekur në terren edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka ndjekur nga afër punën e punonjësve të IMT-së në prishjen e objekteve. Duke falenderuar punën që po bën IMT, Policia Bashkiake dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në këtë aksion, Veliaj theksoi se kthimi i hapësirave të parkut për qytetarët është një tjetër premtim i mbajtur. “Kemi ecur me projektin tonë për të pastruar të gjitha zonat e zaptuara në liqen. Kjo tokë është pjesë e Parkut të Liqenit, si ky territor ka dhjetëra të tillë në të gjithë zonën e Liqenit, të cilat janë uzurpuar, për kafe, bingo, lavazhe e lloj-lloj aktivitetesh, motele, hotele, restorante, bilardo, të cilat nuk kanë funksion publik, por privat. Kjo është një përpjekje për të mbajtur atë premtim që dhamë kur nisëm ndërtimin e këndit të lodrave për fëmijë; pra, çfarë është publike do të jetë e publikut, por ç’është private në një park publik nuk do të jetë më”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se ky aksion vlen edhe si një mesazh se Bashkia e Tiranës do t’ia kthejë publikut çdo pronë dhe hapësirë publike të uzurpuar. “Kemi filluar me rrëzimin e godinave të ndërtuara pa leje, për të vendosur një rregull të ri në qytet, se nuk ndërtohet më pa leje, sidomos në një territor siç është parku publik i Tiranës, i cili shijohet nga të gjithë”, tha Veliaj. Ai gjeti rastin t’i bëjë thirrje Presidentit të Republikës të shprehet pro prishjes së këtyre ndërtimeve në park dhe rikthimin e çdo hapësire të tij qytetarëve. “Nuk më rezulton që, në përpjekje të tilla të vijë Presidenti i Republikës apo ata që politikisht përdorin të gjitha kauzat për interesin e vogël të ditës, por që kurrsesi nuk pranojnë të bëjnë avokatin e publikut për një interes publik, siç është lirimi i parkut  nga të gjitha këto ndërtime pa leje. Si Bashki e Tiranës jemi të përkushtuar që gjatë gjithë muajit maj të pastrojmë parkun nga gjithë ndërtimet pa leje dhe të mos lejojmë më ndërtime të reja”, shtoi kryetari i bashkisë.

Veliaj u ndal edhe te çështja e pallatit 17 katësh që po ndërtohet poshtë digës së Liqenit Artificial, duke deklaruar qëndrimin kundër këtij ndërtimi. Ai ka ftuar Kreun e Shtetit dhe opozitën që të shprehen kundër këtij pallati, i cili është kundërshtuar fort nga qytetarët dhe shoqëria civile. “Në seancën gjyqësore Bashkia e Tiranës do të kërkojë shfuqizimin e lejes. Pra, Bashkia e Tiranës, për herë të parë, për çështjen e 17-katëshit te diga do të jetë në gjyq përkrah INUK-ut dhe me qytetarët e Tiranës, me ambientalistët, me të rinjtë që duan të shijojnë Parkun e Liqenit pa pallate. Kjo është një ftesë publike për cilindo, duke filluar nga Presidenti i Republikës, deri tek ambientalisti apo qytetari më i fundit, që të shprehin gjithashtu qëndrimin e tyre, çfarë mendojnë për çështjen e pallatit 17-katësh”, theksoi Veliaj.

Në total, Bashkia Tiranë ka konstatuar rreth 100 ndërtesa pa leje, të pa legalizuara dhe të pa hipotekuara, të cilat në vite kanë zaptuar liqenin dhe kanë shfrytëzuar hapësirat e tij për biznese private. Ndërtimet pa leje që do të prishen janë kryesisht kafe, parkingje apo lavazhe, të cilat janë ndërtuar pa leje, duke zënë pa të drejtë hapësirat e Parkut të Liqenit Artificial. Aksioni i nisur do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, deri sa i gjithë territori i Parkut të pastrohet nga çdo objekt dhe ndërhyrje e paligjshme. Ndërkohë, pjesë e këtij aksioni është jo vetëm prishja e ndërtimeve pa leje, por edhe largimi më pas i të gjitha mbetjeve inerte. Me synimin për të mbrojtur Parkun, Bashkia e Tiranës ka vendosur gjithashtu të mbyllë të gjitha hyrjet për mjetet motorike, përfshirë edhe hyrjen pranë fakultetit të Histori-Filologjisë. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit është angazhuar plotësisht për ta kthyer Parkun e Liqenit në një hapësirë plotësisht rekreative për të gjithë qytetarët, me fokus te më të rinjtë dhe fëmijët.