Vijon projekti për rijetëzimin e Parkut të Liqenit

Bashkia e Tiranës është e vendosur që ta shndërrojë Parkun e Liqenit Artificial në një qendër të vërtetë çlodhëse dhe argëtuese për të gjitha moshat. Pavarësisht përpjekjeve për të penguar projektet e zhvillimit të këtij parku, Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe këtë fundjavë me mbjelljen e pemëve dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në të. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zëvendësambasadori japonez, Hiroshi Yamauchi, sekretari i përgjithshëm, Yukiko Constantinescu, si dhe Konsulli i Nderit i Japonisë në Tiranë, Avni Ponari, mbollën 200 pemë të llojit qershi japoneze, si pjesë e projektit të rijetëzimit të Parkut të Liqenit.

“Jemi këtu për t’i dhënë jetë një projekti tjetër në Parkun e Liqenit. Po mbjellim sot 200 pemë qershie. Një nga atraksionet më të bukura në parkun qendror të Uashingtonit, i cili quhet ‘Washington Mall’, janë qershitë japoneze”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Duke iu referuar projektit për mbjelljen e këtyre qershive në zonën e përftuar nga prishja e ndërtimeve pa leje në krah të Korpusit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo do të krijojë një hyrje shumë elegante në Parkun e Liqenit. “Me këto 200 pemë që mbjellim sot, numri i pemëve që kemi mbjellë në këto 6 muajt e fundit vetëm në Parkun e Liqenit shkon në 2700. 2500 kapëm fundjavën e kaluar, dhe më vjen mirë që çdo fundjave vetëm po shtojmë”, tha Veliaj.

Ky projekt, theksoi kryebashkiaku, është përgjigja më e mirë ndaj të gjithëve atyre që mund të kenë dyshime ose janë skeptikë për punën e Bashkisë. “Puna është argumenti më i mirë. Për sa kohë që këtu çdo fundjavë po shtohen nga 200 pemë të reja, besoj se kjo është përgjigja më e mirë për këdo që do të na bllokojë në këtë punë”, theksoi kryetari i Bashkisë. Ndaj, ai u shpreh i bindur për të vijuar të gjitha projektet transformuese, jo vetëm për parkun, por në të gjithë Bashkinë e Tiranës.

“Mbetem shumë i vendosur që çdo projekt i Tiranës të vazhdojë në drejtimin e duhur, qoftë projekti për këndin e lojërave, qoftë projekti për rrugët dhe infrastrukturën, që do ta bëjë Tiranën më të qarkullueshme, do të lehtësojë trafikun, qoftë projekti i pyllëzimit që po vazhdojmë, jo vetëm këtu në Parkun e Liqenit, por edhe në parqe të tjera”, tha Veliaj. Ai gjithashtu, bëri të ditur se qeveria ka miratuar ndërkohë projektin e Bashkisë së Tiranës për Parkun e Kasharit, i cili do jetë parku i ri urban për qytetarët e Tiranës.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, duke folur për projektin e rijetëzimit të Parkut të Liqenit me qershi japoneze, theksoi se ajo do të kthehet në një pikë atraktive për qytetin për të gjithë brezat që do ta shijojnë.