Vlerësim dhe mirënjohje ndaj János Hunyadi

Tirana ka nderuar sot János Hunyadin, një nga figurat historike të Hungarisë dhe aleat i Skënderbeut në luftën kundër otomanëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Presidenti i Republikës së Hungarisë, János Áder, zbuluan pllakatën përkujtimore në nder të aleancës së Skënderbeut dhe Hunyadit. Pllakata do të qëndrojë në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare dhe do të jetë simbol i miqësisë midis Shqipërisë dhe Hungarisë.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi se për shqiptarët figura e János Hunyadit është e lidhur ngushtë me një nga periudhat më të ndritura të historisë së vendit tonë, atë të Skënderbeut. “Nuk ka pasur një mësim të historisë së Skënderbeut, ku mos të përmendej të paktën njëherë Janosh Hunyadi, i cili në imagjinatën tonë prej fëmijësh vinte si një figurë gjigande, miku i ngushtë i Skënderbeut, një gjeneral dhe shtetar i madh. Përtej ideve romantike të fëmijërisë, Janosh Hunyadi është një figurë e madhe jo vetëm për hungarezët, por edhe për ne shqiptarët. Një figurë, që vjen në një moment kyç të historisë shqiptare dhe shënon njëherë e përgjithmonë marrëdhëniet e shkëlqyera mes popujve tanë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se vendosja e kësaj simbolike në një nga lulishtet kryesore të qytetit përbën një vlerësim dhe mirënjohje që vendi ynë ka ndaj marrëdhënieve dhe mbështetjes që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar. “Hungaria është një vend mik, që na ka mbështetur pa rezerva, në të gjitha proceset tona të integrimit. Ne, në Tiranë, jemi mirënjohës sepse Hungaria ishte vendi i parë që e ratifikoi rezolutën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ka qenë në vijimësi një avokate shumë e Shqipërisë në BE. Ndaj, gjestin e sotëm të shënjuar me këtë pllakë, e konsiderojmë një stoli më shumë në marrëdhënien e shkëlqyer që kemi mes Tiranës dhe Budapestit, Shqipërisë dhe Hungarisë”, shtoi Veliaj.

Ai tha se jo rastësisht është zgjedhur lulishtja para Bibliotekës Kombëtare për të vendosur këtë pllakatë, pasi tashmë heronjtë e dy vendeve tona do të qëndrojnë në krah të njeri-tjetrit në vetëm pak metra larg njeri-tjetrit. “Simbolikisht, pllaka që zbulojmë sot është edhe shenja e parë të transformimit të kësaj hapësire pedonale ku çdo njeri që do të shijojë bukurinë e sheshit ‘Skënderbej’, do të kujtohet që përballë Skënderbeut është edhe pllakata që kujton mikun e tij të ngushtë, por edhe miqësinë mes dy popujve tanë”, përfundoi kreu i bashkisë.

Ndërsa, ambasadori i Hungarisë në vendin tonë, Antal Heizer, ndërsa ka falenderuar Bashkinë e Tiranës për nderimin që i bën një prej heronjve më të njohur të Hungarisë, vlerësoi si tepër të rëndësishme miqësinë mes dy vendeve tona. “Kjo pllakatë përkujtimore të na mësojë se në të tashmen nuk mund të kalohet pa miq të vërtetë të besuar”, tha ambasadori Heizer.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj priti gjithashtu në një takim të veçantë presidentin hungarez, János Áder ku biseduan rreth miqësisë mes dy vendeve tona, mundësive për të intensifikuar bashkëpunimin mes Tiranës dhe Budapestit sa i përket menaxhimit të ujësjellësit, si dhe nxitjen e ardhjes së sipërmarrjeve hungareze në Tiranë. Gjatë këtij takimi kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi presidentit hungarez Çelësin e Qytetit. Gjithashtu, Presidenti János Áder mori pjesë edhe në ceremoninë e Nderimit tek Monumenti: “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku dhe vendosi një kurorë me lule.