Një tjetër bibliotekë e re i shtohet qytetit të Tiranës, e cila do të mbajë emrin e shkrimtarit të njohur shqiptar, Moikom Zeqo. Nga një hapësirë e degraduar, me lagështi dhe ambient aspak i përshtatshëm për lexuesit, biblioteka në Njësinë 2 tashmë është shndërruar në hapësirë moderne leximi për të rinjtë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se pavarësisht kohëve të vështira, në të cilat po jetojmë, nuk duhet të harrojmë pa respektuar dhe nderuar ata që kanë lënë shenjë në këtë qytet.
Ai shtoi se biblioteka “Moikom Zeqo” do të shërbejë edhe si hapësirë për komunitetin, ku banorët e zonës mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore e sociale.
“Hapësirat e bibliotekave po i rikonceptojmë ndryshe, jo vetëm si një vend ku jepen e merren libra, por kemi futur edhe kurse kompjuteri. Pra, është edhe një hapësirë komunitare”, u shpreh ai.
Veliaj theksoi rëndësinë e emrave që po u vendosen rrugëve apo bibliotekave në kryeqytet, duke nënvizuar se kjo është një reformë e nisur nga Bashkia e Tiranës.